Neza: Fakti që korrupsioni vetëm shtohet, diçka nuk shkon me punën e SPAK dhe GJKKO në këto 5 vite

Gjigandi ndërkombëtar i të drejtave të njeriut Amnesty International theksoi në raportin e vet vjetor për Gjendjen e të Drejtave të Njeriut në Botë se shqetësimet për Shqipërinë lidhen me sulmet kundër medias, me dhunën me bazë gjinore dhe me ndërtimin e kampit të azilkërkuesve në Gjadër për llogari të politikës italiane.

Një raport ky që vjen pas atyre raporteve problematikë të Departamentit Amerikan të Shtetit dhe Transparency International.

Lidhur me këto raporte që sa vijnë dhe nxijnë Shqipërinë sa i përket situatës së rëndë që po përjeton, gazetari Sami Neza i ftuar në studion e emisionit “Ora e Betit” në “Ora News” u shpreh se problemi i korrupsionit dhe luftës së tij nga institucionet e drejtësisë është thjesht një problem i brendshëm shqiptar, që nuk lidhet me ndërkombëtarët.

“Ka njëfarë uniteti, ndoshta të pa negociuar më herët për të kryer apo për të pasur një agjendë qoftë te prokuroria, te gjykata, apo te politika.

SPAK dhe GJKKO e kanë që në emër luftën e korrupsionit. Kanë 5 vite që janë ngritur dhe fakti që korrupsioni është në këto nivele kaq shqetësuese do të thotë rruga që po ndiqet nga këto institucione ka diçka që nuk shkon.

Duhet ndryshuar ndoshta metodologjia që po ndiqet. A duhet luftuar korrupsioni duke luftuar edhe korrupsionin e vjetër të supozuar? Apo duhej të luftonin korrupsionin e ri fillimisht, e më pas të kalonin tek i vjetri rast pas rasti?

Kjo është një prej arsyeve. Nëse dikush të thotë që je i korruptuar nuk ndodh më që dikush të skuqet. Çfarë po ndodh? Rritja e perceptimit të korrupsionit, nuk po sjell uljen e rasteve të korrupsionit, përkundrazi po i shton”, u shpreh ndër të tjera Sami Neza.

NDIQNI EMISIONIN E PLOTE ME POSHTE: