Peticion kundër ndotjes së ajrit, Lëvizja Bashkë dorëzon 10 mijë nënshkrime në Kryeministri

10.000 nënshkrime të qytetarëve iu dorëzuan sot Këshillit të Ministrave, përmes një peticioni, për uljen e ndotjes së ajrit.

Nisma e ndërmarrë nga “Lëvizja Bashkë”, kërkon të denoncojë nivelet e larta të ndotjes së ajrit në qytetin e Tiranës dhe marrjen e masave konkrete.

Sipas monitroimit të “GreenLungs”, në dimër 2023 vlerat e përqëndrimit të CO2 në 53 pika rezultonin shumë më të larta se standardi.

Në zonën e Unazës së madhe me pikë referimi Pallatin me Shigjeta duke vazhduar për në Astir e deri tek Bulevardi i Ri (ish Shqiponja) vlerat arrinin në nivele mjaft të larta rreth 1,911.00 -2,035.00 ppm.

Zona të tjera tepër të ndotura janë dhe kryqëzimi i 21-Dhjetorit, pranë spitalit Gjerman dhe një pjesë e zonës së Myslym Shyrit.

Për Arlind Qorin, përfaqësues i “Lëvizjes Bashkë”, ndotja e ajrit ka ardhur si pasojë e keqplanifikimit urban.

“Në Shqipëri, të paktën vitin e fundit kanë vdekur 5410 qytetarë nga sëmundje që shkaktohen prej ndotjes së ajrit. Ajri në Tiranë nuk ndotet vetë, por ndotet për shkak të keqplanifikimit urban, për shkak të ndërtimeve pa kriter, për shkak të shkatërrimit të hapësirave të gjelbërta, për shkak të ngushtimit të hapësirës publike, për shkak të degradimit të transportit publik”, -u shpreh Qori.