A do hetohet dot Shëndetësia? Eksperti i “Rithemelimit”: Mazhoranca po tenton shtyrjen në kohë, por koha është e kufizuar

Përfaqësuesi ligjor i demokratëve të Rithemelimit, Franc Nuri në cilësinë e ekspertit në Komisionin Hetimor Parlamentar për koncesionet në sistemin e Shëndetësisë në një intervistë në studion e lajmeve në “Ora News” foli lidhur me mënyrën se si do të procedohet për hetimin e aferave të pretenduara nga opozita me sterilizimin dhe check-up-in.

“Ajo që kemi parë në komisione është fakti se kur m’u dha fjala për të parashtruar problematikat, por mazhoranca vendosi të ngrihej dhe të largohej nga mbledhja, duke detyruar që të ndërpritej për pak minuta. Pra, nuk mund ta quaj incident.

Pra vështirësia e parë është se kemi humbur kohë, pasi mazhoranca e bojkotoi atë në fillim, tani u rikthye. Por ajo që është problematike është fakti se komisioni ende nuk ka nisur hetimet e tij dhe jemi me kohë të kufizuar prej 4 muajsh, ndërkaq që janë dy koncesione që në hetime duhen shtrirë shumë në kohë, dhe si rregull afati i komisionit është korriku, pra për 3 muaj ne duhet të hetojmë një koncesion të nënshkruar që në vitin 2014-2015 dhe një periudhë 10 vjeçare duhet të hetohet dhe mbyllhet në këto 3 muajt e mbetur.

Ne si ekspertë jemi takuar dy herë deri tani me palën e mazhorancën, pra në rrafshin teknik puna është në rregull, por çalon në rrafshin politik.

Janë vështirësi që mund të tejkalohen, zgjidhen dhe adresohen, por kur marrin konotacion politik një gjë fare minimale krijon ngërçet e para gjata mbledhjeve”, u shpreh avokati Nuri.