Pas hetimit penal, nis hetimi administrativ për revokimin e gradës “Drejtues i Lartë” për “hajdutin” e TIMS-it, Ervin Muça

Teksa Ervin Muça, është në ballë të ciklonit për skandalin e vjedhjes së të dhënave të Shqiptarëve në sistemin TIMS, tashmë një tjetër përballje e pret Drejtorin e Departamentit të Teknologjisë dhe Informacionit.

Komisioni i Standardeve në Policinë e Shtetit, mësohet se ka nisur proceduar për nisjen e një hetimi administrativ me qëllim skanimin e dosjes së aplikantit Ervin Muça, i cili në mënyrë të rrufeshme u gradua “Drejtues i lartë”.

I kontaktuar në telefon nga “Ora Neës” për nisjen e një hetimi administrativ, Drejtori i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, refuzoi të japi një përgjigje.

Aktualisht këtë verifikime janë në fazën fillestare dhe pritet që në ditët në vijim mund të ketë një vendimmarrje për revokimin e vendimit për dhënies së gradës “Drejtues i lartë” për Ervin Muçën.

“Ora News” mëson se hetimi administrativ po kryhet paralelisht me hetimin që ka nisur në prokurorinë e Tiranës, e cila përmes një shkrese të 8 gushtit 2024 nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, ka zbuluar se në 23 tetor 2007 në Itali, Ervin Muça është raportuar si përgjegjës për veprat penale të dokumenteve false kryer nga persona privatë dhe përdorimin e një akti të rremë.

Në 9 shtator 2008 Ervin Muça i është njoftuar vendimi për refuzimin e rinovimit të lejes së qëndrimit të marrë nga shtabi i policisë në Bari, duke u riatdhesuar në Shqipëri.

Sipas urdhrit të miratuar nga ish-ministri i Brendshëm Bledi Çuçi, në 16 qershor 2023, Ministri ka miratuar funksionin e veçantë, për Drejtor në Departamentin e Teknologjisë dhe Informacionit.

Në datë 19 qershor Drejtori i Përgjithshëm Muhamet Rrumbullaku, ka nxjerrë urdhrin për hapjen e aplikimeve dhe në 22 qershor është emëruar në detyrë Ervin Muça.

Kurse në 26 qershor kanë filluar marrëdhëniet financiare. E gjithë procedura e futjes së Ervin Muçës ka ndodhur brenda 10 ditëve.

Roli i Ervin Muçës ishte të rekrutonte të njohurit e tij brenda Policisë për të kryer ndërhyrjen dhe marrjen e të dhënave konfidenciale të TIMS.

Të parin që do rekrutonte në Polici, në drejtorinë e Sistemeve ishte Besjon Tanuzi, një punonjës që në muajin Gusht 2023 ishte i punësuar pranë AKSHI-t.