Rikthehet dëbora në zonat malore, probleme në akset disa nacionale rrugore

Zona veri-lindore e vendit është përfshirë nga moti i keq shoqëruar me reshje shiu e bore. Në lartësitë mbi 700 metër reshjet e shiut i kanë lënë vendin reshjeve të borës duke sjell një trashësi deri në 10 cm.

Gjithsesi reshjet e borës që kanë përfshirë njësitë administrative Arrën, Kalisë, Gryk Çajë, Bushtricë, Topojan, Zapot nuk kanë shkaktuar problematika në qarkullimin e automjeteve dhe banorëve.

Temperaturat në këto zona kanë zbritur deri -1 gradë.

Ulja e temperaturave dhe reshjet e borës mendohet të ketë shkaktuar probleme në frutikulturë, shumë pemë frutore në këtë periudhë janë në fazën e lulëzimit. Ndërsa në lartësitë nën 700 metër reshjet e shiut kanë sjell probleme në akset nacionale rrugore.

Problematikat janë shënuar në rënien e gurëve e dherave, më problematike janë paraqitur akset nacionale Kukës-Shishtavec, Kukës-Peshkopi, Kukës-Qaf Mali, Has-Kam-Tropojë e Bajram Curri- Fierz, pasi në këto akse ka prezencë të rënieve të gurëve.

Gjithsesi situata është nën kontroll nga punonjësit e firmave mirëmbajtëse duke larguar gurët e dherat dhe mbajtjen në funksion të rrugëve.