Kosova në KiE, Maliqi: E djeshmja, ditë historike! Politika të jetë në unison për integrimin edhe në BE
Kosova është afruar mbrëmjen e së martës me një hap më afër anëtarësimit në Këshillin e Evropës.
Kjo u vendos pas votimit në Asamblenë Parlamentare, të KiE ku me 131 vota pro, 29 kundër dhe 11 abstenime iu hap rrugë finalizimit të anëtarësimit.
Për të kuptuar më shumë nga ky vendim historik për shtetin më të ri të rajonit, në studion e lajmeve në “Ora News” e ftuar ishte analistja politike Afërdita Maliqi.
Në analizën e saj Maliqi theksoi se gjithçka është bërë nga zero dhe gjithçka është bërë e mundur me ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe partnerëve të tjerë evropianë.
“Shpeshherë Kosova mbetet e fundit për sa i përket zhvillimeve.
Por në Kosovë e djeshmja cilësohet si ditë historike për vetë faktin se në maj pritet që tashmë edhe Këshilli i Ministrave ta votojë rekomandimin e Asamblesë Parlamentare dhe Kosova të jetë zyrtarisht pjesë e Këshillit të Evropës dhe pjesë e familjes evropiane ashtu siç ne e meritojmë.
Dua të theksoj se kushtet dhe standardet e kërkuara ne i kemi realizuar me kohë, por rrethanat politike dhe situatave që po ndodhin në botë Kosova shpeshherë mbetet e fundit në Ballkan, ashtu siç ndodhi dhe me liberalizimin e vizave.
Ky është një nga vendimet më të mira që është marrë për Kosovën, dhe Këshilli i Evropës të hapë rrugë më pas për në Bashkimin Evropian. Dhe ne si shtet dhe si qeveri, pa marrë parasysh se kush është në krye të saj duhet të ecim përpara në këtë drejtim”, theksoi analistja Afërdita Maliqi.

