Elezi: Anëtarësimi i Kosovës në KiE do të ndodhë, por duhet bërë më shumë sa i përket direktivave evropiane

Për ekspertin e sigurisë në Kosovë, Bedri Elezi, e vetmja mënyrë për të shkuar drejt stabilizimit të marrëdhënieve me Serbinë është organizimi sa më i mirë i zgjedhjeve në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Në një intervistë në studion e lajmeve në “Ora News” Elezi u shpreh i bindur se anëtarësimi në Këshillin e Evropës për Kosovën do të ndodhë.

“Ne do të kemi anëtarësim të Kosovës në Këshillin e Evropës, dhe më pas do të derivojnë detyra të reja që kanë të bëjnë me stabilizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve.

Krahas presionit që i bëhet Kosovës ka edhe një presion drejt Serbisë. Por çështja e parë për të shkuar përpara është organizimi i zgjedhjeve të lira në 4 komunat me shumicë serbe që u kontestuan fillimisht.

Dhe tjetra është ajo e Asociacionit dhe më pas me programe të tjera që kanë të bëjnë me çështje të zbatimit të ligjit apo luftës së krimit të organizuar, pasi Kosova është shumë mbrapa në këto drejtime dhe nuk ka një përpjekje të institucioneve të qeverisë së Kosovës për të punuar në këto drejtime dhe programe të harmonizuara me ato të Bashkimit Evropian”, u shpreh ndër të tjera eksperti Bedri Elezi.