VIDEO+EMRI/ Lëvizte me pistoletë pa leje dhe me fishek në gojë, policia e shtrin për tokë 36-vjeçarin

Policia në Vaun e Dejësit ka goditur një tjetër rast të armëmbajtjes pa leje në kuadër të planit operacional “Sundimi i ligjit”.

Dhe në këtë linjë, uniformat blu njoftojnë se kanë arrestuar 36-vjeçarin Shpëtim Sula i cili lëvizte në Fshat të Ri me armë zjarri dhe me fishek në fole.

“Sekuestrohet arma e zjarrit pistoletë, me krehrin dhe fishekët.

Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të inteligjencës policore që sigurohet në kuadër të planit operacional kombëtar të koduar “Sundimi i ligjit”, për shtetasit që mbajnë armë, pa leje, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës kapën në flagrancë dhe arrestuan shtetasin Sh. S., 36 vjeç, banues në Shkodër.

36-vjeçari është lokalizuar në Fshat të Ri dhe sapo ka parë shërbimet e Policisë ka tentuar të largohet. Ai është kapur dhe ndaluar menjëherë dhe me vete i është gjetur 1 armë zjarri pistoletë me fishek në fole, të cilën e mbante pa leje.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e policisë.