Komisioni hetimor për “Sterilizimin”, Ndreca tregon arsyet e bojkotit nga PS: Proces i paragjykuar
Deputeti i Partisë Socialiste, Plarent Ndreca, i cili është nënkryetar i Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me shërbimet publike të sterilizimit dhe të check-up në shëndetësi, i cilësoi shfaqje mediatike dhe jo mbledhje takimet e zhvilluara nga opozita në Kryesinë e Kuvendit.
Në një intervistë televizive, Ndreca u shpreh se demokratët po zhvillojnë një procedurë jo të rregullt ligjore, duke paragjykuar.
“Mbledhje konsiderohet prezenca e të gjithë anëtarëve të Komisionit ose minimalisht e shumicës së Komisionit për të bërë kuorumin e nevojshëm sipas ligjit, çka do thotë që këto tri shfaqjet mediatike nuk kanë qenë mbledhje. Kryetarja, nëse do të kryente detyrën e saj sipas ligjit, duhet të garantonte koordinim mes gjithë anëtarëve të komisionit, në mënyrë që mbledhja të ishte e vlefshme”, u shpreh Ndreca.
“Siç duket opozita dhe kryetarja e Komisionit e ka privatizuar pozicionin e kryetares dhe e konsideron si pronë të saj këtë pozicion. Është kthyer në prokurore publike, është kthyer në paragjykuese të qartë të procesit, ka deligjitimuar veten dhe përfaqësuesit e opozitës në këtë komision. Unë nuk e kuptoj pse duhet të hetojmë kur ata e kanë nxjerrë konkluzionin”, tha ai.
I pyetur për vijimin e punës së Komisionit, Ndreca u shpreh se ligji e ka shprehur qartë rrugëtimin e një komisioni hetimor. Sipas tij, ekspertët e zgjedhur nga mazhoranca po punojnë për të hartuar një plan të qartë hetimor dhe vetëm pas kësaj do të kalohet në mbledhjen e komisionit. Ndreca nënvizoi se mazhoranca do të ndjekë ligjin në çdo hap të punës në Kuvend.
“Ekspertët do duan ndoshta edhe një javë që të mbyllin një plan hetimi që mund ti nënshtrohet vendimmarrjes në komision. Momentin që do kemi një plan hetimi, atëherë është në kushtet për t’u mbledhur komisioni. Mund ta thërrasim dhe ne mbledhjen, por mund të koordinojmë dhe me kryetaren e komisionit për të bërë një mbledhje të vlefshme”, u shpreh Ndreca.
“Pasi unë kam bërë disa deklarata u kujtua kryetarja e komisionit të na sjellë nga ekspertët e saj edhe planin e saj hetimor, që në fakt është copy-paste i planit hetimor paraprak që ka thënë në mbledhjen e parë, është copy-paste i pretencës 9-vjeçare të opozitës. Ne jemi vendosur të bëjmë një proces të rregullt ligjor, sepse nëse ne kemi konkluzione dhe bindje se në çfarë konkluzionesh do dalim, atëherë ne kot e kemi ngritur komisionin”, tha Ndreca gjatë intervistës televizive për “Top Channel”.


