Kreu i ILD-së: Para së të kërkojmë drejtësi nga institucionet e drejtësisë duhet ta kultivojmë brenda vetes
“Reforma në Drejtësi nuk mund të ketë sukses nëse të gjithë nuk japin kontributin që u takon. Nuk është vetëm reformë politike, por edhe shoqërore”.
Kështu u shpreh nga Shkodra, Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani, teksa zhvilloi një leksion të hapur me studentë të Fakultetit të Drejtësisë mbi rolin e ILD-së në arkitekturën e re të sistemit të drejtësisë. ‘Para së të kërkojmë drejtësi nga institucionet e drejtësisë duhet ta kultivojmë brenda vetes’ – shtoi Metani.
Ai u ndal për të folur për presionin e padrejtë ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve, por theksoi se nga 2020 deri sot niveli i ankesave që vijnë nga qytetarët është rritur shumë.
Më tej, Metani bëri me dije se nga Shkodra ka shumë ankesa për çështjet e zvarritjeve dhe për këtë tha se do të fillojë një hetim në Shkodër.
Më herët, Inspektori i Lartë i Drejtësisë nënshkroi një memorandum bashkëpunimi me Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Shkodrës.

