Meta: Ekonomia e vendit u ngadalësua në tremujorin e katërt të vitit 2023
Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta u shpreh sot se, “ekonomia e vendit u ngadalësua në tremujorin e katërt të vitit 2023”.
Në një konferencë për mediet, Meta deklaroi se, “jemi të fundit në botë për demokracinë liberale dhe elektorale. Në vitin 2023, Shqipëria renditej në vendin e 92-të, në indeksin e demokracisë liberale, krahas Mongolisë, dhe Sierra Leones. Edhe në indeksin e demokracisë elektorale, jemi në vendin e 88-të, ndër të fundit në botë”.
Meta shtoi se, “Kosova është 20 vende përpara Shqipërisë, për demokracinë liberale, dhe 31 vende përpara Shqipërisë për demokracinë elektorale. Pra nëse ka një qeveri shqiptare, me të cilën duhet të krenohemi, është vetëm ajo e Kosovës”.
Meta tha se, Partia e Lirisë, ka shpallur tashmë 5 prioritet e saj për 10 vitet që vijnë.
“Së pari, ndalimin e shpopullimit, duke mbështetur në mënyrë të veçantë familjet e reja, politikat që stimulojnë lindshmërinë, dhe njëkohësisht që mbështesin të rinjtë, për vende pune me paga dinjitoze. Dhe në mënyrë të veçantë, edhe politika favorizuese dhe lehtësuese për strehimin e tyre”, u shpreh ai.
“Së dyti, rritja e pensionit mbi nivelin e mesatares së rajonit brenda një mandati qeverisës”, theksoi Meta.
“Prioritet i tretë, arsimi dhe investimi në kapitalin njerëzor. Jo vetëm investimi në fushën e arsimit do të jetë në standardet e Bashkimit Europian, por njëkohësisht do të shumëfishohet buxheti për inovacionin dhe kërkimin shkencor”, tha Meta.
Së katërti, u shpreh Meta, “mbështetja për bujqësinë dhe ushqimin, dhe njëkohësisht edhe të gjitha politikat që ulin koston e jetesës”. Dhe prioriteti i pestë, tha Meta, Shqipëria një fuqi eksportuese.
“Krahasuar me 3-mujorin e katërt të vitit 2022, rritja ekonomike është ngadalësuar. Nga 4.44 % në tremujorin e katërt të vitit 2022, në 3.8%, në tremujorin e katërt të vitit 2023. Njëkohësisht në tremujorin e dytë të vitit 2023, rritja e bujqësisë është negative, në -0.16%, në tremujorin e tretë është -0.28 % dhe e thelluar në tremujorin e tretë është -3.07 %. Sektori i industrisë, energjisë dhe ujit, gjithashtu po kalon një krizë të rritjes ekonomike. Rritja negative është thelluar, duke filluar nga tremujori i dytë, që tregoi një rritje negative me -1.19%, në tremujorin e tretë -2.45% dhe të katërtin me -2.03 %”, u shpreh Meta.
Meta tha se, “rritja ekonomike e të gjitha aktiviteteve të tregtisë, së transportit, të akomodimit dhe shërbimit ushqimor në tremujorin e katërt ishte 0.07% nga 3.80% e rritjes ekonomike totale në këtë tremujor. Pra 0.07 %, dhe kini parasysh që turizmi është vetëm një fraksion, një fraksion i këtij sektori. Kontributi i këtij sektori në rritjen ekonomike totale për tremujorin e katërt është vetëm 1.8%”.
