Pampuri: Duhet miratuar në Kuvend një legjislacion specifik për personat autikë. Koha për një strategji kombëtare
Në Ditën Botërore të Ndërgjegjësimit për Autizmin, Partia Demokratike zyrtare përmes deputetes Oriola Pampuri kërkoi një ditë më parë miratimin e një legjislacioni specifik për personat me çrregullime të autizmit.
Për të kuptuar më shumë mbi këtë nismë, vetë deputetja Pampuri ishte e ftuar në studion e lajmeve në “Ora Neës”, ku theksoi se aktualisht nuk e ka legjislacionin e duhur për përkrahjen e këtyre personave.
“Në Komisionin për Shëndetësinë kemi diskutuar shpesh për personat me aftësi të kufizuar, por jo shumë për personat që vuajnë me spektrin e autizimit.,
Dhe mendoj se ka ardhur koha që të kemi një legjislacion spefik për çrregullimet e autizmit, por edhe për një strategji kombëtare për këtë çështje.
Vështirësitë që pëtrballen këta persona janë terapitë që janë tejet të shtrenjta, apo njëri prej prindërve është i detyruar të lërë punën, ndaj mendojmë që të ketë forma rimbursmi dhe trajtimi të veçantë nga shteti.”, u shpreh ndër të tjera deputetja demokrate Oriola Pampuri.
PROPOZIMI I PAMPURIT
"Duke njohur vështirësitë e personave me çrregullim autik në Shqipëri, që ende vazhdojnë të përballen me forma të stigmatizimit apo diskriminimit në shoqëri, institucionet publike, arsimore, shëndetësore, dhe në tregun e punës, për shkak të mosnjohjes së plotë apo të kufizuar duke përfshirë: diagnozën e vonuar ose të gabuar; mungesa e mbështetjes pas diagnozës; vështirësi në aksesin në arsim, shërbime sociale dhe shëndetësore; tranzicione të vështira nga fëmijëria në moshën madhore; kufizime për marrjen dhe qëndrimin në punë; shëndet i dobët mendor dhe praktika të papërshtatshme (siç është vendosja dhe trajtimi i pavullnetshëm në reparte psikiatrike); dhe problemet gjatë ndërveprimit me organet e zbatimit të ligjit dhe sistemin e drejtësisë.
Duke njohur se familjet e personave me çrregullimit autik bartin sistematikisht ngarkesa të konsiderueshme emocionale, ekonomike dhe të kujdesit. Autizmi ka ndikim jo vetëm tek personi me këtë çrregullim, por edhe tek familjet e tyre, kështu që numri i personave që preken është shumë më i lartë.
Ndaj në frymën e parimeve kushtetuese për garantimin gjithëpërfshirës e të drejtave dhe lirive e të qytetarëve,
Nëpërmjet kësaj rezolute kërkojmë miratimin e një legjislacionin specifik për personat me çrregullime të autizmit, si dhe strategjitë kombëtare të autizmit dhe planet e veprimit që janë në përputhje me Konventës e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara (KPAK)”.
Gjithashtu, Pampuri kërkoi “miratimin e një moduli trajnues detyrues për zbatim me profesionistët që ndërveprojnë me fëmijët me autizëm dhe familjarët e tyre, përfshirë, punonjësit socialë, mësuesit, profesionistë mjekësorë, oficerë policie, profesionistë ligjorë, etj.
Mbështetje në vazhdimësi përgjatë gjithë jetës të personave me autizëm, e një veçanti përgjatë fazës së zhvillimit nga fëmijë në moshë madhore.
Mbështetje për aftësimin profesional sipas nevojave të personave me autizëm dhe integrimi në tregun e punës nëpërmjet programeve dhe politikave të nxitjes së punësimit”.
Gjithashtu, Pampuri, kërkoi “përfshirjen e personave të spektrit autik dhe familjarëve të tyre në trajtimin e veçantë, për përfitimin e lehtësira për lëvizshmërinë, përdorimin e mjeteve të transportit publik urban pa u penguar nga pamundësia financiare për të aksesuar këto shërbime”.



