Mediat greke: Kandidimi i Belerit në fletën evropiane të ND është më afër
Mediat greke kanë shkruar ditën e sotme se kandidatura e Fredi Belerit për eurodeputet nën logon e Demokracisë së Re, partisë së kryeministrit Kyriakos Mitsotakis, po bëhet konkrete.
Protothema shkruan djali i tij, Petros Beleri dhe vëllai, Leonard Beleri kanë qenë dje në Megaros Maximos (selia zyrtare e kryeministrit të Greqisë) për të kapërcyer çdo pengesë diplomatike në lidhje me kandidimin e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës.
Pak javë më parë, Kyriakos Mitsotakis kishte pranuar sugjerimet për të përfshirë Belerin në fletën europiane të Demokracisë së Re, i cili u la në paraburgim pas zgjedhjes dhe më pas u dënua dhe po vuan dënimin me burg në burgjet shqiptare.
Megjithatë kundërshtimet kishin lindur, pasi kishte nga ata që theksonin se një lëvizje e tillë do ta kufizonte një problem europian në atë dypalësh mes Athinës dhe Tiranës.

