Rama: Rrugicat me kalldrëm, vlerë e çmuar në lagjet historike të Korçës

Rrugicat me kalldrëm janë një vlerë e çmuar në lagjet historike të Korçës, por edhe në fshatrat përreth saj.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale momente nga puna që po kryhet në ruajtjen e traditës dhe mirëmbajtjen e rrugicave me kalldrëm si një vlerë e çmuar në lagjet historike të Korçës.

Bashkia e Korçës po vijon ndërhyrjet jo vetëm për ruajtjen e traditës por edhe duke treguar kujdes të veçantë në mirëmbajtjen e rrugicave me kalldrëm.

Pamja e rrugicave të vjetra të Korçës nuk është tjetërsuar apo dëmtuar, kjo falë edhe dëshirës së qytetarëve për të ruajtur autenticitetin arkitektonik.

Rrugët e 5 lagjeve karakteristike të Korçës janë me kalldrëm, ndërsa shtëpitë dhe muret rrethuese janë të ndërtuara me gurë të gdhendur dhe kangjella.

Për të ruajtur të paprekur veçantinë e qytetit në këto zona nuk jepet asnjë leje ndërtimi që nuk ka të parashikuar elementët karakteristikë të gurit dhe kangjellave.