Avokati Logu: S’ka asnjë kuptim që në regjistrin e PD-së të figurojë emri i Bashës si kryetar

Gjykata e Tiranës ka shtyrë seancën për shqyrtimin e kërkesës së kreut të grupit parlamentar të PD Gazment Bardhi për çregjistrimin e Lulzim Bashës si kryetar i PD.

Përfaqësuesi ligjor i Bardhit, Marash Logu, tha se Basha nuk është faktikisht kryetar i PD dhe ky është absurd ligjor dhe faktik.

“Këshilli Kombëtar ka adresuar çështjen që të fshihet emri i Lulzim Bashës dhe të pasqyrohet ai realitet që sot të gjithë e njohim, që Basha nuk është në kryetar i PD-së.

Kolegët bëjnë sikur harrojnë që ky është i vetmi Këshill Kombëtar i regjistruar me vendim të formës së prerë.

Është votuar nga Berisha dhe Basha, dhe vendimi është i formës së prerë.

Këshilli Kombëtar është organi më i lartë vendimmarrës dhe drejton partinë.

Ka autoritet dhe është organ vendimmarrës më i lartë se vetë kryetari.

I gjendur përballë faktit që Basha dhe nënkryetarët kishin dhënë dorëheqje, vendosi të marrë drejtimin e PD dhe të përfaqësojë partinë.

Nuk mund të pranonte që në regjistër të jetë emri i një personi që ka dhënë dorëheqje publike.

Basha të na thotë që ishte mashtrim apo dha dorëheqjen me të vërtetë.

Gjithashtu në zgjedhje PD u përfaqësi me kryetar të komanduar nga Enkeled Alibeaj.

Të gjitha faktet provojnë se nuk ka më asnjë kuptim që në regjistrim e PD të figurojë emri i Bashës si kryetar i PD-së”, u shpreh Marash Logu.