Komisioni i dezinformimit, analistët kanë rezerva: Nisma të tilla të qeverisë kundër lirisë së shprehjes së qytetarëve

Kërkesa e 7 deputetëve të Partisë Socialiste për të ngritur një komisionin parlamentar për dezinformimin e huaj në vendin tonë do të shqyrtohet të mërkurën në Konferencën e kryetarëve në kuvend.

Për analistin Ben Andoni nisma është e mirë, por mekanizmat për të frenuar këtë ndërhyrje janë të paqarta.

Andoni: Mendoj se është e arsyeshme, por në morinë e problematikave mendoj se janë institucionet që mund ta ndalojnë dezinformimin. E para nuk dimë personat që do ta përbëjnë këtë komision.

Por Gazetari Gjergj Erebara e sheh me rezervë ngritjen e këtij komisioni.

Erebara: PS-ja për shkak të historikut që ka lirinë e shprehjes, çdo nismë e saj konsiderohet fajtore deri në fund të procesit, prandaj duhet parë se çfarë do të bëjnë.

Erebara dhe Andoni shprehen të shqetësuar se ky komision mund të kthehet në një instrument qeveritar për censurë dhe presion ndaj medias.

Erebara: PS gjithmonë ka marrë nisma për gjëra të tilla që kanë përfunduar kundër lirisë së shprehjes së qytetarëve, për të sharë qeverinë. Në të gjithë Evropën janë marrë masa vetërregullimi.

Andoni: Nëse instrumentet e këtij komisioni dhe metodologjia do të jetë e drejtë, atëherë ngelet për tu përshëndetur, por nëse është thjeshtë për tu ngritur, duhet t’i trembemi.

Sipas propozimit të socialistëve komisioni i posaçëm do të ketë 13 anëtarë ndërsa do të drejtohet nga një deputet i tyre ndërsa parashikohen jo vetëm masa administrative, por edhe ligjore, por ende pa I përcaktuar se deri ku do të shkojnë.