Erdogan “prek fundin”, Brahaj: Ishte sovrani që e rrëzoi, jo opozita. Si Ankaraja edhe Tirana investohen më shumë tek opozita se sa t’i shërbejnë popullit
Kandidatët mbështetës nga presidenti turk Erdogan humbën betejën elektorale në tre bashkitë kryesore të Turqisë: Stamboll, Ankara dhe Izmir, të cilat janë tashmë në duart e kryebashkiakëve opozitarë.
Lidhur me këtë rezultat të paparashikuar gazetari Sokol Brahaj, në një raportim nga Turqia për studion e lajmeve në “Ora News” deklaroi se rezultati nuk kishte lidhje me përfaqësimin apo ofertën e opozitës, por ai tha se ishte vetë sovrani ai që vendosi të rrëzojë Erdoganin.
“Ishte në fakt sovrani turk që i dha një mësim shumë të mirë Erdoganit. Jo se ishte opozita e fortë, pasi kemi një opozitë të shkatërruar që është thuajse e ngjashme me atë në Shqipëri.
Kjo sepse edhe Ankaraja edhe Tirana investohen më shumë për ta dëmtuar opozitën se sa për t’i shërbyer popullit. Ndaj kjo ishte një rënie e Erdoganit, dhe opozita në fakt la nam me kandidaturat e saj, ndaj them që ishte vetë sovrani që vendosi këtë”, u shpreh ndër të tjera Sokol Brahaj.
Më tej, gazetari Brahaj bëri me dije se përveç bashkive të mëdha, Erdogan shënoi humbje edhe në zonat e prekura nga tërmeti tragjik i muajve më parë.
RAPORTIMI I PLOTE MBI ZGJEDHJET TURKE NGA GAZETARI SOKOL BRAHAJ
Rezultati në bashkitë e mëdha
Me më shumë se 98% integrim, kryetari aktual i Stambollit, Ekrem Imamoglu, i Partisë Popullore Republikane (CHP) po fiton me një diferencë të madhe në qytetin më të madh dhe qendrën financiare të Turqisë.
Mansur Yavas, kryebashkiaku i Ankarasë, mbajti pozicionin e tij me një diferencë mahnitëse prej gati 30 pikësh ndaj kundërshtarit të tij, ndërsa kandidati i CHP-së në Izmir kryeson me 11 pikë.
Në përgjithësi, CHP fitoi 36 bashki nga 81 provincat e Turqisë, sipas Anadolu, duke hyrë në disa bastione të partisë së Erdoganit.
Ajo fitoi 37% të votave kombëtare, krahasuar me 36% për partinë e presidentit, duke shënuar fitoren më të madhe elektorale të CHP që kur Erdogan mori pushtetin dy dekada më parë.


