Dita e fillimit të Revolucionit kundër Perandorisë Osmane, grekët festojnë në sheshin Sintagma në Athinë

Ashtu si çdo vit edhe sivjet, me një paradë madhështore në sheshin Sintagma në Athinë, grekët kanë festuar 25 Marsin, ditën e fillimit të Revolucionit kundër Perandorisë Osmane në vitin 1821, i cili u kulmua me krijimin e një shteti të pavarur.

Festimet kanë filluar me ngritjen e flamurit në shkëmbin e shenjtë të Akropolit e më pas mijëra qytetarë kanë ndjekur parakalimin e trupave ushtarake të forcave të armatosura.

Avionët luftarakë të Forcave Ajrore, F16 Viper, Rafale, Mirage, Phantom apo helikopterët të tipeve të ndryshme mbuluan qiejt e Athinës. Marshimi i trupave rezerviste dhe në fund njësitë ushtarake ceremoniale , Evzones, kanë krijuar entusiazëm tek të pranishmit.Kanë ndjekur paradën presidentja e vendit, liderë të partive politike, diplomatë të huaj etj.

Kreu i qeverisë greke Kyriakos Mitsotamis nga Kanadaja ku ndodhet për vizitë ka marrë pjesë në festimet e omogjenëve grekë bashkë me kryeministrin Justin Trudeau dhe ka dhënë mesazhin e tij.

“Është vërtetë një nder dhe kënaqësi e madhe të përfaqësoj vendin tonë sot, këtu në Montreal, në këtë paradë vërtetë mbresëlënëse me rastin e përvjetorit të Pavarësisë Kombëtare të 25 Marsit”, Kyriakos Mitsotakis kryeministër i Greqisë.

Ndërkohë për herë të parë në historinë e Greqisë , lideri i partisë më të madhe opozitare Syriza, Stefanos Kasselakis, ka marshuar me togën e tij në qendër të Tebës, aty ku ai kryen shërbimin ushtarak.

Më herët në Mitropolin e Athinës, Kryepeshkopi i Greqisë ka mbajtur Doksologjinë e shenjtë pasi 25 marsi , përveç domethënies së saj kombëtare, përkujtohet gjithashtu tradicionalisht si dita fetare e Ungjëllizimit.