Kolegu i Toni Kroos: Mund të tërhiqet në verë, ju tregoj pse
Toni Kroos u rikthye te Gjermania në miqësoren ndaj Francës, takim të cilin skuadra e Nagelsmann e fitoi 2-0.
Pak sekonda i mjaftuan mesfushorit të Realit për të dhuruar asistin për golin e parë të Wirtz me fanellën e Kombëtares.
Kroos vendosi të tërhiqej nga Gjermania pas Euro 2020, por insistimi i trajnerit, tifozëve dhe shokëve të skuadrës, ndikuan që 34-vjeçari të rikthehej.
Dhe Gjermania është ndryshe me të në fushë.
Në lidhje me formën e shkëlqyer të Kroos foli edhe Aurelian Tchouameni, shok skuadre te Reali dhe kundërshtar në Francë-Gjermani.
“Toni po luan në nivele të jashtëzakonshme. Gjithsesi, ai mund të tërhiqet në fundin e sezonit, pasi gjithmonë e ka shprehur se dëshiron ta mbyllë me futbollin në formë të mirë”, u shpreh mesfushori francez.
Kroos ndodhet në vitin e fundit të kontratës me “Los Blancos”.
Carlo Ancelotti e ka shprehur disa herë dëshirën që gjermani të rinovojë për të paktën edhe një vit.
Por, mesfushori nuk ka vendosur ende përfundimisht për të ardhmen e tij.
