VIDEO/ Italia “tremb” kundërshtarët! “Axurrët” mbyllin me sukses testet miqësore para “EURO 2024”

Italia mbyll në mënyrë pozitive testet miqësore në SHBA, duke fituar edhe ndeshjen e dytë, kundër Ekuadorit, me shifrat 2-0. Kujtojmë që italianët janë rivalët e Shqipërisë në Kampionatin Europian, në të njëjtin grup me Spanjën dhe Kroacinë.

Kur jemi në prag të fillimit të Kampionatit Europian, kombëtaret po zhvillojnë testet miqësore për të parë gjendjen lojtarëve dhe grupit në tërësi.

Një ndër skuadrat që po zhvillon fazën përgatitore është edhe Italia, kundërshtari i kombëtares sonë në EURO 2024, së bashku me Spanjën dhe Kroacinë.

Axurrët mbyllën në mënyrë pozitive fazën përgatitore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pas fitores ndaj Venezuelës 2-1, italianët mundën Ekuadorin me shifrat 2-0. Sinjale pozitive prej disa nga futbollistëve të rinj të thërritur nga trajneri Spalletti.

Lorenzo Pellegrini i dha epërsinë kampionëve në fuqi të Europës me golin e shënuar në minutën e 3-të.

Ndërkohë, goli i dytë i apeninëve erdhi në fundin e takimit. Mesfushori Nicolo Barella realizoi në minutën e 94-t.

I kënaqur me këto paraqitje të skuadrës edhe tekniku Spalletti.

Luciano Spalletti: "Ne kemi qenë gjithmonë një ekip, bilanci është pozitiv. Turneu ishte i shkëlqyer. Rezultatet ishin shumë pozitive. Ne u përballëm me skuadra shumë serioze. Organizimi ishte perfekt.

Kemi luajtur dy ndeshje të mira. Ka ende gjëra për t'i korrigjuar, por nga sfida si kjo bëhet e lehtë të analizosh dhe të nxjerrësh gjërat pozitive"

Rrugëtimi i Italisë në Kampionatin Europian do të nis pikërisht ndaj kuqezinjve tanë, më 15 qershor në Dortmund.