Shënjestrohet Rafah/ 5 fëmijë dhe 136 gazetarë të vrarë, 7000 kamionë në pritje për ndihmë. Shtyhet rezoluta e armëpushimit

Qyteti Rafah tashmë është nën sulmet izraelite ku shumë palestinezë kanë humbur jetën, mes tyre edhe 5 fëmijë. Rezoluta për armëpushim të menjëhershëm është shtyrë teksa tentativat në Gaza për ndihma ushqimore vijojnë. Nga sulmi i 7 tetorit deri më tani kanë humbur jetën 136 gazetarë.

Forcat izraelite kanë nisur sulmet në jug të Gazës, në qytetin e Rafah duke vrarë shumë palestinezë me tyre pesë fëmijë.

Një votim i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për një rezolutë të re që kërkon një armëpushim të menjëhershëm është shtyrë deri të hënën, sipas agjencisë së lajmeve AFP. Rusia dhe Kina vendosën veton ndaj një teksti të mëparshëm të hartuar nga SHBA.

Antony Blinken, kryediplomati i SHBA-së, u largua sërish duarbosh nga Lindja e Mesme, ndërsa kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu hodhi poshtë apelet e Uashingtonit për të anuluar një pushtim tokësor të planifikuar të Rafahut jugor, ku janë strehuar 1.5 milionë palestinezë.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres pritet të vizitojë qytetin kufitar Rafah të Gazës për të përsëritur thirrjen e tij për një armëpushim urgjent humanitar.

Nndërkohë Zyra për Median në Gaza ka thënë se numri i gazetarëve të vrarë në enklavë që nga 7 tetori ka shkuar në 136.

Nga ana tjetër vijojnë tentativat për ndihma. 7,000 kamionë janë duke pritur për të ofruar ndihma në Gaza. Sipas Guvernatorit të Sinait të Veriut, Mohamed Shousha, procedurat e inspektimit të kërkuara nga Izraeli kishin penguar rrjedhën e ndihmës.

Qeveria e drejtuar nga Hamasi dënoi rrethimin e Izraelit të objektit mjekësor në Gazën qendrore dhe pretendoi se ushtria po bombardonte ndërtesat ku brenda kompleksit mbetën civilët.