Cana për median kiliane “AS”: Kili ka ekip shumë të mirë, kam luajtur kundër Vidal
Kapiteni legjendar i Shqipërisë, Lorik Cana, ka zbuluar kuqezinjtë për mediat në Kili, çfarë pret nga ky test miqësor mes dy përfaqësueseve.
“Shqipëria ka një ekip të ri dhe shumë të mirë. Ne u klasifikuam të parët në grupin tonë në “Euro 2024” dhe kemi shumë lojtarë që luajnë në ekipe të mira në Evropë. Ka një të ardhme të mirë përpara me lojtarë si Strakosha, Kumbulla, Mitaj, Balliu, Asllani dhe Broja”, u shpreh fillimisht Cana.
“Në mendjen tonë, përfaqësuesja kiliane do të jetë gjithmonë një ekip shumë i mirë dhe do të ketë lojtarë të nivelit të parë. Nuk po kalojnë periudhën më të mirë, por me siguri do të kthehen më të fortë.
Pata kënaqësinë të luaja kundër një futbollisti të nivelit të lartë si Arturo Vidal. Ai është një lojtar i madh, me një mentalitet të klasit të parë. Ai është një luftëtar i vërtetë në fushë, me cilësi të mëdha … Vidal fitoi shumë në Itali dhe bëri shumë mirë kudo që shkoi.
Sanchez? Aleksis është një lojtar fantastik, me një karrierë të madhe. Realisht dëshiroja që të qëndronte më shumë në Marsejë. Ai kishte mentalitetin e duhur për të bërë mirë në një klub dhe një qytet me aq shumë pasion si Marseja”, theksoi Cana.

