DETAJE TË REJA nga arrestimi i trafikantëve të kokainës në Tiranë, gazetari: Agjenti i infiltruar zbuloi grupin
Gazetari Edison Vatnikaj raporton për “Ora News” detaje të reja nga operacioni i mbrëmshëm në kryeqytet, që përfundoi me plagosjen dhe arrestimin e një personi dhe vënien në pranga të dy të tjerëve.
Vatnikaj tha se zbulimi i këtij grupi kriminal që vuri në rrezik jetën e efektivëve të policisë u bë i mundur përmes hetimit të zhvilluar nga një agjent i infiltruar, i cili u kamuflua si porositës i kokainës që u kap në makinën e tre të rinjve.
Operacioni
Igli Begaj 20 vjeç dhe Shkelqim Ostreni 26 vjeç, përfunduan në pranga e policisë në operacionin që përfundoi me plagosjen e më pas arrestimin e Enea Sulejmanit.

Në momentin e ndalimit ai nuk i është bindur thirrjes së policisë dhe i ka dhënë me shpejtësi mjetit të tij duke rrezikuar jetën e punonjësve të policisë.
Ka qenë ky momenti ku një prej efektivëve ka qëlluar vetëm një herë në drejtim të tij duke e lënë të plagosur.
Nga hetimet paraprake të kryera nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore nuk rezulton që efektivet të kenë bërë shkelje, për shkak se atyre u është rrezikuar jeta.
Tre personat që u arrestuan dyshohet se ishin furnizues të shpërndarësve të drogës në zonën e Xhamllikut dhe do të shkëmbenin drogën tek vendi ku u kapen nga agjentet e antidrogës.
Dëshmitë e të arrestuarve

Shkëlqim Osteni, njëri prej tre trafikantëve që u përfshi në sulmin me makinë ndaj patrullës së policisë, pasi u pikasën nga këta të fundit me 1 kg kokainë në automjet mbrëmjen e djeshme në Tiranë ka dhënë dëshminë e tij para prokurorëve dhe policisë së Tiranës.
Në përfundim, siç dhe shihet nga pamjet e siguruara nga “Ora News” i rrethuar me dy shqiponja dhe me pranga në duar, Shkëlqim Osteni i arrestuari për operacionin e drogës në Tirane shfaqet duke lënë ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës për t’iu drejtuar bllokut të Sigurisë në paraburgimin në Burgun 302 në Tiranë.


