Gjermania dhe Kanadaja rrisin bashkëpunimin në energjinë e hidrogjenit
Ministri gjerman i Ekonomisë, Robert Habeck dhe ministri kanadez i Energjisë, Jonathan Wilkinson theksuan rëndësinë e sigurisë së energjisë përballë luftës së Rusisë në Ukrainë dhe konflikteve të tjera globale.
Gjatë konferencës së parë gjermano-kanadeze për energjinë e hidrogjenit, në Hamburg, Habeck tha se industria dhe kompanitë varen nga një furnizim i besueshëm i energjisë në rrugën drejt neutralitetit klimatik.
Wilkinson theksoi gjithashtu se duhet të garantohet një furnizim i sigurt i energjisë së gjelbër për të kufizuar ngrohjen globale.
Konferenca pason nënshkrimin e marrëveshjes gjermano-kanadeze për energjinë e hidrogjenit në gusht 2022.
Sipas planeve të qeverive në Berlin dhe Otava, eksporti i hidrogjenit nga Kanadaja në Gjermani do të nisë vitin e ardhshëm.
Hidrogjeni jeshil, i cili prodhohet duke përdorur energji të rinovueshme, luan një rol kyç në tranzicionin e energjisë.


