Mbreti Carl XVI Gustaf: Anëtarësimi në NATO nuk është drejtuar kundër askujt
Pranimi i Suedisë në NATO nuk është drejtuar kundër askujt, tha sot mbreti Carl XVI Gustaf gjatë një ceremonie përpara parlamentit në Stokholm.
“Suedia nuk kërcënon askënd. Suedia dëshiron paqen”, tha Carl Gustaf.
“Anëtarësimi në NATO përfaqëson një pjesë të re të historisë, por nuk do të ndryshojë politikën e jashtme ose të sigurisë suedeze”, shtoi mbreti.
“Ruajtja e lirisë dhe pavarësisë së Suedisë është qëllimi ynë më i rëndësishëm. Anëtarësimi në NATO do të rrisë aftësinë e Suedisë për të mbrojtur veten”, tha ai.
Mbreti Carl XVI Gustaf vuri në dukje se pushtimi rus i Ukrainës më shumë se dy vjet më parë ka tronditur rrënjësisht rendin politik të vendosur pas Luftës së Dytë Botërore.
Flamuri i Suedisë u ngrit para selisë së NATO-s në Bruksel gjatë një ceremonie, një javë më parë.
Suedia u bashkua me aleancën Atlantike më 7 mars të këtij viti.
Vendi aplikoi në maj të vitit 2022 në përgjigje të pushtimit rus, me shpresën për t’u bashkuar brenda pak muajsh, por kundërshtimet nga ana e Turqisë dhe Hungarisë e vonuan procesin për gati dy vjet.


