Presidenti i Kroacisë njoftoi se do kandidojë për kryeministër, Gjykata Kushtetuese vendos: Të japë menjëherë dorëheqjen ose…

Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç  nuk mund të kandidojë për kryeministër, të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare apo në fushata, në favor të ndonjë partie politike, përderisa nuk jep dorëheqje të menjëhershme nga posti aktual, ka vendosur të hënën Gjykata Kushtetuese e shtetit, raporton agjencia “AP”.

Presidenti Milanoviç të premten i shpalli zgjedhjet parlamentare për 17 prill, por disa orë më vonë njoftoi se do të kandidojë për kryeministër me listën e Partisë Socialdemokrate në opozitë.

Njoftimi nxiti krizë të thellë politike në vendin anëtar të BE-së dhe të NATO-s, teksa Gjykatës Kushtetuese iu kërkua ta nxirrte një opinion.

Kryetari i Kushtetueses, Miroslav Separoviç, bëri të ditur se presidenti duhet që të tërhiqet nga posti aktual për pjesëmarrje në zgjedhje.

Ai tha se Milanoviqi dhe partia në emër të së cilës ai do të garonte duhet që të veprojnë në përputhje me vendimin dhe që të mos e shkelin Kushtetutën.