Fusnin telefona kinezë dhe rroba kontrabandë, 3 doganierë dhe 3 tregtarë merren të pandehur. Në 6 raste shmangën 100 mijë € taksa
Tre ish-punonjës të Doganës së Fierit, janë marrë të pandehur nga prokuroria e qytetit, pasi akuzohen për “Falsifikim dokumentesh” dhe “Shpërdorim detyre”.
Ndërkohë në të njëjtën dosje nën hetim janë vënë dhe tre biznesmenë si Myftar Kapllani, Arben Bicja që akuzohen për “Kontrabandë me mallra të tjerë”, “Fshehje të ardhurave” dhe “Falsifikim të dokumenteve”.
Për të njëjtat akuza është marrë i pandehur dhe tregtari Sami Pero.
Ndërsa ish-punonjësit e doganës Ilirjan Ymeri, Endrit Gjikondaj dhe doganieri Rubin Shehu akuzohen për “Falsifikim të dokumenteve” dhe “Shpërdorim detyre”.
Hetimet e drejtuara nga prokurori i Fierit, Petrit Vukaj, kanë nxjerrë në dritë 6 praktika të kontrabandimit të aparateve telefonike dhe veshjeve të sjella nga Kina.
Sasia e telefonave dhe rrobat e ndryshme, kanë kaluar tranzit në territorit Grek dhe më pas veprimet për “zhdoganimin” e mallit kanë vijuar në brendësi të territorit Shqiptar.
Doganierët dhe biznesmenët kanë përdorur mekanizma për shmangien e taksave të detyrimeve doganore që rrjedhin nga ligji, ku në të paktën 6 praktika doganore të ndjekura prej tyre, është shmangur përfitimi prej 100 mijë euro si detyrim që duhet të kalonte në buxhetin e shtetit.
Të gjashtë persona tashmë janë marrë të pandehur dhe pritet që shumë shpejt të nisë procesi gjyqësor në Gjykatën e shkallës së parë në Fier.
