Studime jashtë/ Preferencat e studentëve: SHBA, Kanada dhe Britani. Ekspertët: Degët që kanë më shumë treg pune, më të kërkuara
Studimet jashtë Shqipërisë janë në rritje të vazhdueshme, dhe ekspertët thonë se ka disa arsye për këtë trend. Ekspertët thonë se degët ku ka më shumë kërkesa për punë dhe shtetet ku gjuha është në Anglisht janë më të kërkuara
Kërkesa e maturantëve shqiptarë për të studiuar jashtë vendit edhe këtë vit parashikohet të jetë në rritje.
Ekspertët shprehen se Amerika, Kanadaja dhe Mbretëria e Bashkuar janë shtetet më të preferuara.
“Preferencat mbeten gjithmonë në Amerikën e Veriut, pra Kanadaja dhe SHBA-ja. Dhe në dy vitet e fundit kemi vërejtur një trend të shtuar sa i përket Mbretërisë së Bashkuar”, shprehet eksperti Erion Kosovrasti.
Ai thotë se gjuha është ajo që ndikon në këtë drejtim.
“Kjo vjen edhe si rezultat i disa mundësive të punësimit post studimeve në Mbretërinë e Bashkuar. Gjithashtu degët më kryesore që kërkohen nga studentët janë shkencat kompjuterike, të gjitha degët e inxhinierisë dhe degët e biznesit. Çdo vend ka rast specifik”, thekson ai.
Pavarësisht mundësive financiare, eksperti shprehet se alternativat janë të shumta.
“Ne mundësojmë kategori të ndryshme bursash dhe një nga to është një bursë në nivelin 95 për qind në SHBA. Bursë kjo që mbulon tarifën e studimeve dhe më pas studenti duhet të mbulojë pjesën e akomodimit dhe ushqimit në kampus.
Studentët normalisht kanë mundësinë e ushqimit në kampus, e cila i ndihmon që ata të krijojnë disa të ardhura dhe një pjesë të këtyre shpenzimeve. Për aplikimin për bursa mesatarja është 7.5, kemi një Anglisht në Nivelin B2”, theksoi eksperti Erion Kosovrasti.
Vitin e shkuar rreth 11 mijë maturantë aplikuan për të ndjekur studimet jashtë Shqipërisë.


