Fondet e BE, mundësi edhe për integrimin/ Malaj: Rritje e madhe ekonomike, skeptik nëse do ketë dyfishim
6 miliardë eurot e premtuara nga Bashkimi Evropian për Ballkanin Perëndimor, sipas ish-ministrit të Ekonomisë, Arben Malaj, nuk janë vetëm një mundësi për zhvillim ekonomik. Ai thotë se thithja e fondeve do të lehtësonte edhe rrugëtimin e Shqipërisë drejt integrimit evropian.
6 miliardë euro janë vënë në dispozicion nga bashkimi Evropian për Ballkanin Perëndimor.
Në Samitin me vendet e rajonit të zhvilluar në Tiranë, eurokomisioneri për Zgjerim, Oliver Varhelyi tha se kjo do të dyfishonte ekonominë e shteteve ballkanike.
Ish-ministri i Ekonomisë, Arben Malaj, e shkon pa mëdyshje si një mundësi të mirë për zhvillimin ekonomik, megjithëse shprehet skeptik nëse rritja do të dyfishohet pas marrjes së këtyre fondeve.
Arben Malaj: “Ekonomia gjatë këtij plani të rritjes, se do të dyfishohet është pak jo e bazuar në shifra, por nga ana tjetër, 6 miliardë mud të bëjnë dhe 60 miliardë në qoftë se Ballkani fillon dhe vepron si një grup shtetesh”.
Për thithjen e 6 miliardë eurove kusht, përveçse projekteve, është edhe bashkëpunimi rajonal duke mos penguar njëra-tjetrën në rrugëtimin e tyre drejt Bashkimit Evropian.
Ish-ministri Malaj, e sheh këtë kushtëzim si një formë pozitive për të përshpejtuar integrimin e Shqipërisë në shtëpinë evropiane.
Arben Malaj: “Nëse nuk do të plotësohen kriteret, nëse nuk do të shikohet mundësia e një angazhimi më të madh në integrimin e këtyre vendeve, patjetër që do të pakësohet mundësia për të përfituar fonde”.
Sipas ish-ministrit të Financave Arben Malaj ndarja e fondeve duhet të bëhet në mënyrë proporcionale, sipas nevojave të shteteve.
Arben Malaj: “Duhet afërsisht një ndarje proporcionale dhe nxitëse, sepse mund të jenë vende me popullsi më të vogël si Shqipëria, por që kanë probleme më të mprehta në infrastrukturën e tyre”.
Në samitin e fundit të mbajtur në Tiranë, u konfirmua se 70% e fondeve që do jepen për 6 vendet e Ballkanit Perëndimor do të jetë me kredi të buta dhe 30% e tyre janë grante, duke e cilësuar kështu si një shans të ri për këto vende.


