Tokë te Manastiri i Deçanit, Koçi: Vendimi i Kurtit, shumë i mirë, u përshëndet edhe nga Escobar. Parakusht për anëtarësimin në KiE
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi këtë të mërkurë se Qeveria e tij i ka kërkuar Agjencisë Kadastrale të Kosovës ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të vitit 2016 për tokën e Manastirit të Deçanit.
Për të kuptuar më shumë lidhur me këtë kërkesë të kryeministrit Kurti, në studion e lajmeve në “Ora News”, analisti Melazim Koçi deklaroi se kjo është bërë për shkak se zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që kërkon transferimin e 24 hektarëve tokë te Manastiri i Deçanit, do të ishte vendimtar për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, gjatë Asamblesë Parlamentare të këtij institucioni, që do të mbahet në prill.
“Edhe z. Escobar sot e përshëndeti këtë vendim dhe tha se është një vendim i vështirë dhe se e përshëndesim këtë vendim. ishte një vendim i papritur dhe shumë i mirë që është ndërmarrë nga qeveria e Kosovës.
Është një vendim i marrë që në vitin 2016-të dhe deri tani është refuzuar, pasi është cilësuar si vendim i padrejtë, pasi është marrë në kohën e aparteidit i marrë në vitin 1997 kur ishte Millosheviçi.
Por edhe pse i padrejtë, ky vendim është shumë i mirë i marrë nga ana e palës kosovare dhe se i hap rrugë asaj tashmë në anëtarësimin në strukturat evropiane.
Po ashtu z. Escobar nuk e kundërshtoi vendimin e Bankës Qendrore për çështjen e dinarit, por se tha se kërkohet që t’i jepet kohë implementimit të këtij vendimi.
Por gjithsesi për këtë temë mbetet për t’u parë çfarë do të ndodhë në takimin e parashikuar për t’u mbajtur nesër mes z. Escobar dhe kryeministrit Kurti, por që duhet kuptuar se nesër nuk mund të merret një vendim definitiv”, theksoi ndër të tjera, analisti Melazim Koçi


