Balla: Muajin e ardhshëm negociojmë marrëveshjen e ekstradimeve me Emiratet e Bashkuara

Duke iu referuar rastit të ekstradimit të kërkuarit Bruno Çobo, i cili akuzohet se ka mashtruar duke vjedhur 4.7 milionë euro dhe që sot u ekstradua nga Dubai, Ministri i Brendshëm Taulant Balla, tha se muajin e ardhshëm do të jetë në Emiratet Arabe për të negociuar marrëveshjen për ekstradimet.

Ai tha se deri më sot është përdorur një metodë e thjeshtuar ekstradimi falë bashkëpunimit me Interpol dhe rezultatet janë pozitive.

“Prej disa muajsh kemi nisur një bashkëpunim intensiv me Interpolin, kryesisht në fushën e luftës kundër krimit të organizuar, kundër trafikut të narkotikëve dhe një fokus i ri në gjetjen, identifikimin e personave të kërkuar nga drejtësia shqiptare. Kemi parë që e kemi mbyllur vitin 2023 në ditët e fundit të vitit të shkuar me një ekstradim nga Maroku, për një person të dyshuar për një ngjarje të rëndë kriminale me një vend me të cilim nuk kishim një marrëveshje ekstradimi”, tha Balla.

Ministri i Brendshëm shtoi se Shqipëria ka një numër të vogël marrëveshjesh ekstradimi. Ai shtoi se po punohet me Ministrinë e Drejtësisë për të hapur shtigje të reja komunikimi me vende me të cilat ende nuk ka marrëveshje ekstradimi.

“Në fakt instrumentet e vendosura në dispozicion nga Interpol, na bëjnë të mundur që edhe me vende sikurse Emiratet e Bashkuara, një vend mik, partner i rëndësishëm, të përdorim dhe metoda të tjera që unë do ta quaja sikurse kanë komunikuar në komunikimin shkresor që kemi pasur me autoritetet e Emirateve të Bashkuara, ekstradim i thjeshtuar. Ekstradimi i thjeshtuar ka të bëjë me një metodë që ka në vetvete një komunikim mes Interpol Tiranës dhe Interpol Abudabi. Dhe bëhet fjalë për një deportim. Pala e Emirateve të Bashkuara e sjell deri në aeroportin e Dubait  dhe nga ai moment e më pas përmes avionit dorëzohet në aeroportin e Rinasit”, tha Balla.

Balla: Muajin e ardhshëm negociojmë marrëveshjen e ekstradimeve

“Nuk hezitoj ta quaj një arritje të rëndësishme të Policisë së Shtetit dhe të Interpol Tiranës. Sa kohë që gjithmonë ishte konsideruar ky vend si një oaz që personat me problematikë të theksuar kriminale, të kërkuar me qiri nga drejtësia shqiptare, kishin gjetur si mundësi për t’u fshehur, për t’iu fshehur drejtësisë shqiptare. Besoj që rasti i sotëm i jep fund konsiderimit edhe të këtij vendi si një oaz i fshehur, për t’iu shmangur drejtësisë dhe në këtë mënyrë i japim fund një kulture pandëshkueshmërie, që do të vazhdojë të intensifikohet”, tha Balla.

Duke folur për marrëveshjen e ekstradimit me Emiratet Arabe, Balla tha pas një muaji do të jetë duke negociuar dokumentet përkatës zyrtarisht në Emiratet e Bashkuara Arabe, bashkë me drejtues të Policisë së Shtetit dhe të agjencive të tjera ligjzbatuese për të çuar më tej negociimin e një marrëveshje në fushën e ekstradimeve.

“Tek autoritetet e këtij vendi partner ne kemi dorëzuar një listë me personat që kërkohen nga drejtësia. Kemi marrë, dhe jemi në komunikim të vazhdueshëm dhe për rastet e tjera. Për rastin në fjalë, na është komunikuar që personi do të ekstradohet në mënyrë të thjeshtuar”, tha Balla.