Kuko: Plan masash për forcimin e parametrave të sigurisë në komunitet
Ministria e Brendshme, së bashku me institucionet e tjera të zbatimit të ligjit po harton një plan masash të cilat do të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në forcimin e parametrave të sigurisë në komunitet.
Zv.ministrja e Brendshme, Romina Kuko, në një postim në rrjetet sociale thekson se siguria e komunitetit është një përgjegjësi jo vetëm e Policisë, por të gjithë aktorëve që kanë rol sinjalizimin dhe parandalimin e ngjarjeve që cenojnë sigurinë në komunitet.
“Siguria në komunitet nuk është përgjegjësi ekskluzive e forcave të rendit por e gjithë aktorëve të cilët kanë rol parësor në sinjalizimin e hershëm dhe parandalim; e shërbimeve sociale, shkollave, shërbimeve shëndetësore, bashkive, njësive administrative dhe vetë qytetarëve”, shkruan Kuko.
“Me grupin e punës udhëhequr nga Ministria e Brendshme dhe me kontributin e ministrive të linjës/agjencive respektive, po hartojmë një plan masash të cilat do kenë ndikim të drejtpërdrejtë në forcimin e parametrave të sigurisë në komunitet. Lagje më të sigurta, shkolla më të sigurta, komunitete më të sigurta”, përfundon Kuko.

