“Nuk kemi hasmëri me askënd”/ Dhjetëra plumba drejt tij dhe kunatit, zbardhet dëshmia e 2 të plagosurve në Shkodër: U fshehëm pas makinës, derisa ata ikën!

Fshati Grudë e Re në Shkodër u trondit mbrëmjen djeshme nga një atentat mafioz, ku për pasojë mbetën të plagosur polici Gjergj Ndershtiqaj, i cili është vëllai i drejtorit të DRSHTRR-së në Shkodër Marjan Ndershtiqaj dhe Gjon Nika, kunetër mes tyre.

Dëshmitë e viktimave

Kur kanë kaluar disa orë nga ngjarje ende nuk dihen motivet e kësaj ngjarje të rëndë.

Për të hedhur dritë mbi këtë pritë të armatosur dy të plagosurve u është marrë dhe dëshmia e parë nga ambientet e spitalit të Shkodrës, ku ata gjenden jashtë rrezikut për jetën.

“Sapo zbritëm nga makina dëgjuam të shtëna armësh. Nuk kemi arritur që të shohim se kush ishin ata që na qëlluan me armë. Nuk kemi konflikte me persona të tjerë dhe nuk e dimë arsyen përse na qëlluan.

Në momentin kur nisën të shtënat kemi lëvizur me shpejtësi duke u munduar të shpëtojmë. Derisa janë larguar qëndruam pas makinës”, mësohet se kanë thënë të plagosurit përpara prokurorëve.

Hetimet e deritanishme

Ndërkaq deri në orët e para të mëngjesit, mësohet se policia ka shoqëruar dhjetëra persona, të cilët dyshohet se mund të kenë dijeni për ngjarjen.

Në vendin e ngjarjes janë gjetur po ashtu dhjetëra gëzhoja automatiku, të cilat janë përdorur nga autorët.

Mësohet se kanë qenë 4 autorë, 3 nga të cilët kanë qëlluar në drejtim të të rinjve.

Armët e autorëve janë gjetur në makinën e djegur, e cila është transportuar në policinë e Shkodrës për ekspertim më të specializuar.

Nga kamerat e sigurisë së lokalit në afërsi të të cilit ndodhi ngjarja nuk kanë arritur të shihen autorët, ndërkohë që dyshohet se ata kanë qenë të maskuar.

Dy të plagosurit kanë marrë nga një plumb në trup duke arritur t’i shpëtojnë mrekullisht morisë së plumbave dhe aktualisht ndodhen në spital.