Nisi sot Muaji i Shenjtë i Ramazanit, teologu i njohur na njeh me disa rregulla: Insulina nuk e prish agjerimin...
I ftuar në studion e lajmeve në "Ora News" për të folur për rëndësinë dhe rregullat e muajit të shenjtë të Ramazanit, ka qenë teologu i njohur, Vladimir Kera.
I pyetur se si është pritur këtë vit nga besimtarët dhe se cilat janë procedurat që duhet të ndjekin besimtrarët ai tha:
"Ramazani është një nga praktikat fetare më dominante në popullin tonë dhe më i vështiri. Kemi një përqafim të jashtëzakonshëm të njerëzve. Nuk është se të gjithë janë praktikantë të praktikave të tjera fetare, por tek agjërimi gjejmë një masivitet të jashtëzakonshëm, specifikisht edhe tek moshat e vjetra, përshembull hasim edhe të vjetër që e ruajnë me fanatizëm atë shijen shpirtërore të agjerimit. Edhe të rinjtë janë një kategori specifike që e përqafojnë agjerimin, ka dhe të feve të tjera që dëshirojnë ta provojnë këtë përvojë të veçatë.
Procedurat që duhet të ndiqen gjatë muajit janë që me lindjen e diellit fillon mbyllja e mundësisë së njeriut për të ngrënë, pirë dhe mardhëniet intime deri në atë që quhet Iftar. Aty pastaj njeriut i lejohen të gjitha deri në agim. Nga agimi deri në mbrëmje një besimtar e ka të ndaluar të konsumoj çdo lloj ushqimi. Janë disa specifika që e prishin agjërimin, si serumi. Insulina nuk e prish agjerimin.
Agjërimi ka tre shkallë. E para teologjikisht është heqja dorë nga ushqimi dhe pija. Kjo është shkalla më e lehtë.
E dyta është që të agjërojnë gjymtyrët, të cilat janë: Gjuha, nga fjalët që nuk janë të përshtatshme për një njeri dhe nga shikimi, dëgjimi dhe mendimet e gabuara."
Shkalla e tretë është të agjërojë zemra. Pra të agjëroj nga smira, zilia, gjëra të cilat e vrasin dhe atë që i mbart këto gjëra.
Ky është një agjërim i plotë."

