Projektligji për shërbimin e provës në Kuvend, lehtësohen procedurat e rekrutimit të punonjësve të rinj

Vendet bosh të punës të krijuara në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit të Provës kanë bërë që PS të kërkojë ndryshime në ligj.

Në parlament mazhoranca, me iniciativë të deputetit Klevis Xhoxhi kanë kërkuar që të lehtësohen dhe procedurat e rekrutimit të punonjësve të rinj.

Aktualisht, theksohet se në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit të provës janë 13 vende të cilat kërkojnë punonjës të rinj.

Sipas statistikave 101 punonjës kanë mbikëqyrur 6679 persona në gjykim, në hetim apo dhe kërkesa për lirim me kusht në një kuadër kohor prej një viti.

Ky fluks sipas mazhorancës kërkon domosdoshmërinë e plotësimit të vakancave në mënyrë që të rritet efikasiteti dhe cilësia në përmbushjen e detyrave.

Gjithashtu, në ndryshimet e kërkuara në parlament kërkohet niveli i pagave të punonjësve të Drejtorisë së Shërbimit të Provës të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Sa i përket shpenzimeve financiare, në projektligj theksohet se pagat e punonjësve duhet të jenë në përputhje me buxhetin që shteti ka vendosur për këtë institucion dhe nuk mund të tejkalohet.

Këto ndryshime pritet që të diskutohen më parë në Komisionin e Ligjeve e më pas nëse miratohet me shumicë votash do të kalohet për votim përsëri në seancë plenare.