Muaji i shenjtë i Ramazanit, kreu i KMSH: Mundësi për të pastruar shpirtin. Është muaj adhurimi, jo diete

Kreu i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Bujar Spahiu, ka uruar sot shqiptarët për nisjen e muajit të shenjtë të Ramazanit.

Ai ka shtuar se ky muaj është një mundësi që besimtarët të pastrojnë shpirtin dhe trupin.

“Ramazani nuk është muaj diete, por muaj adhurimi. E lusim Zotin të na e bëjë këtë muaj paqe e begati!”, tha mes të tjerash ai.

Urimi i Spahiut:

Të dashur motra dhe vëllezër besimtarë!
Falenderimet i takojnë Allahut, Zotit të botërave që na mundësoi të arrijmë muajin e Ramazanit.

Muaji i bekuar i Ramazanit është një mundësi dhe favor i jashtëzakonshëm që Zoti na ka dhuruar për të pastruar shpirtin dhe trupin.

Ramazani nuk është muaj diete por muaj adhurimi, përmes të cilit njeriu ka mundësinë e artë të arrijë kënaqësinë e Zotit, e përmes kësaj arritje të begatojë veten e tij me mirësi në këtë botë dhe atë të përtejmen.

Në Kur’an dhe në hadithet e Profetit (a.s.) Ramazani përshkruhet si një prej mirësive më të mëdha, pas namazit që Zoti na ka dhënë ne.

Ramazani është pastrim shpirtëror në radhë të parë.

Zoti (xh.sh.) thotë në Kuran: “O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm”.

Ajeti në fjalë tregon qartë se agjërimi synon të formojë një personalitet të kompletuar tek besimtari.