Djegia e lokaleve të nënkryetares të komunës së Zveçanit, Kurti: Akt terrorist
Kryeministri Albin Kurti ka reaguar sot pasi nënkryetares së komunës së Zveçanit, Natasha Tomaniq, i janë djegur dy lokale në qendër të Zveçanit, duke thënë se “kjo paraqet një akt terrorist e qyqar”.
Në një postim në Facebook, Kurti shprehet se kjo po ndodh ndaj Tomaniq dhe serbëve që duan të pavarësohen nga Beogradi që i shantazhon.
“Pikërisht me 8 Mars, elemente kriminale në Zveçan zgjodhën e rizgjodhën dhunën, terrorin dhe sulmin, kësaj radhe ndaj pronës private, dyqanit të nënkryetares së Komunës së Zveçanit, znj. Natasha Tomaniq. Ky duket të jetë “urimi” i tyre për 8 Mars për nënkryetaren Tomaniq dhe për të gjithë serbët që duan integrimin në Kosovë, çlirimin nga strukura kriminale që kërcënojnë dhe pavarësimin nga Beogradi zyrtar që i shantazhon.
Dita Ndërkombëtare e Grave shënohet me mirënjohje, përkujdesje, dashuri e angazhim të përbashkët për barazi. Jo me dhunë e terror.
Përgjigjja ndaj akteve të tilla dhe personave përgjegjës është sundimi i ligjit dhe shteti i së drejtës.
Kurse ndaj serbëve të Kosovës që vazhdojnë të përballen me dhunën fizike e psikologjike dhe kërcënimet e vazhdueshme, është mbështetja e inkurajimi për të plotësuar deri në fund vullnetin e tyre.
Shpresojmë që edhe ambasadorët e Quintit dhe shefi i Zyrës së BE-së, z. Tomas Szunyog, do ta dënojnë ashpër këtë akt kriminal, terrorist e qyqar”, shkruan kryeministri Kurti.
