7 Marsi/ Urimi i veçantë nga nxënësit e “Edith Durham”, mësuese Ines Kurti: Më shumë se çdo gjë kemi nevojë për mirënjohje
7 Marsi, e njohur ndryshe si “Dita e Mësuesve” do të kremtohet këtë të enjte nga të gjithë shqiptarët, nxënësit në mbarë vendin, në shenjë vlerësimi të traditave më të mira të shkollës kombëtare shqipe, të figurës së nderuar të mësuesit si edukator i brezit të ri.
Një festë e cila i kushtohet personelit edukues të shkollave dhe universiteteve dhe si e tillë është përkujtuar në mënyrë të veçantë në studion e lajmeve në “Ora News” nga mësuesja në shkollën 9-vjeçare “Edith Durham” në Tiranë, Ines Kurti.
Pikërisht nga ambientet e punës në klasë dhe përpara nxënësve të saj, mësuese Inesi rrëfeu përjetimet në këtë ditë të shënuar për të gjithë shërbëtorët e dijes.
“Gëzuar!” – ishte urimi në kor i nxënësve të klasës.
“Në fakt kjo është një ditë me shumë emocione për të gjithë ne mësuesit, dhe uroj që ata të marrin sa më shumë dashuri dhe dashamirësi. Mendoj se sot profesioni i mësuesit është bërë një sfidë, dhe duhet që patjetër mësuesit t’i jepet roli i tij.
Në fakt, mirënjohja është ajo që ne kemi nevojë në këto momente dhe këtë bëjnë mësë miri fëmijët që u dalin mesazhet nga zemra ashtu siç e ndjejnë dhe dëshirojnë”, u shpreh ndër të tjera, mësuesja Ines Kurti.
Mësonjëtorja e parë u çel në 7 mars në 1887 në kushtet e pushtimit otoman, dhe ajo u krijua nga një grup rilindasish, ndërsa ishte e para shkollë fillore me një fizionomi të theksuar kombëtare dhe laike, ku të gjitha mësimet jepeshin në gjuhën shqipe.


