7 Marsi në sytë e mësueses Lefteri Gjoshe: Jo vetëm festë, por obligim për çdo mësues për të nxjerrë breza të ditur dhe që ta duan këtë vend

7 Marsi, e njohur ndryshe si “Dita e Mësuesve” do të kremtohet këtë të enjte nga të gjithë shqiptarët, nxënësit në mbarë vendin, në shenjë vlerësimi të traditave më të mira të shkollës kombëtare shqipe, të figurës së nderuar të mësuesit si edukator i brezit të ri.

Një festë e cila i kushtohet personelit edukues të shkollave dhe universiteteve dhe si e tillë është përkujtuar këtë të mërkurë në studion e lajmeve në “Ora News” nga mësuesja në pension tashmë, Lefteri Lena Gjoshe.

“7 Marsi simbolizon diturinë, arsimin, kulturën, zhvillimin dhe ecjen e një kombi. 7 marsin do ta cilësoja ndër ditët kryesore të një populli që ka një histori të shenjtë.

Dhe kështu që do të thoja mirënjohje, respekt për gjithë atë brez rilindasish që në 7 mars në 1887 të kontribuonin për hapjen e shkollave dhe rritjen e të gjitha stadeve të arsimit shqiptare.

Për mua është një ditë shumë e rëndësishme. Ne çdo vit që e kemi festuar që kur nisëm të punonim si mësues, ke një lloj krenarie, mirënjohjeje brenda vetes. Kështu që mësuesit patjetër që e kanë konsideruar si festë, por është si një obligim përpara brezit të ri dhe vetë kombit që duyhet të nxjerrim përpara breza të ditur dhe që ta duan me gjithë shpirt këtë vend”, u shpreh ndër të tjera, mësuesja Lefteri Lena Gjoshe.

Mësonjëtorja e parë u çel në 7 mars në 1887 në kushtet e pushtimit otoman, dhe ajo u krijua nga një grup rilindasish, ndërsa ishte e para shkollë fillore me një fizionomi të theksuar kombëtare dhe laike, ku të gjitha mësimet jepeshin në gjuhën shqipe.