7 Marsi/ Drejtoresha e “Sami Frashërit” uron kolegët, Majlinda Ziu: Qofshi të përmbushur si misionarë të dijes
7 Marsi, e njohur ndryshe si “Dita e Mësuesve” do të kremtohet këtë të enjte nga të gjithë shqiptarët, nxënësit në mbarë vendin, në shenjë vlerësimi të traditave më të mira të shkollës kombëtare shqipe, të figurës së nderuar të mësuesit si edukator i brezit të ri.
Një festë e cila i kushtohet personelit edukues të shkollave dhe universiteteve dhe si e tillë është përkujtuar në studion e lajmeve në “Ora News” nga mësuesja dhe drejtoresha e gjimnazit “Sami Frashëri” në Tirannë, Majlinda Ziu.
“Unë jam e bekuar dhe shumë e lumtur. Unë në fakt jam produkt i një babai inxhinier ndërtimi dhe i një mësueseje dhe e kam pasur dëshirë të madhe që të bëhesha mësuese, dhe mbas 33 viteve që kam kontribut kuptoj që jam në vendin e duhur.
Sigurisht që brezat kanë ato veçantitë e tyre dhe janë të lidhur me periudhën kohore dhe janë të lidhur po ashtu me kontekstin historik dhe kohore kur ata zhvillohen, pastaj ndryshimi i raportit me librin, me teknologjinë, prioritetet e tyre ndryshojnë në varësi të tregut të punës, pra kanë gjëra të ndryshme që lidhen pikërisht me kontekstin në të cilin ata rriten.
Ka dhe një ngarkesë pak më të madhe në procesin e rritjes së tyre. Të gjitha këto vështirësi që lidhen me kohën dhe ne nuk mërzitemi, pasi janë dinamika të kohës. Edhe mësuesit tashmë janë bërë më të shpejtë dhe më dinamikë që të përshtaten dhe ata po ashtu me këto dinamika.
Për të gjithë mësuesit, nga zemra, Gëzuar 7 Marsin. Qofshin përherë të respektuar dhe figura të nderuara ndër breza dhe të jenë të përmbushur në misionin e tyre, si misionarë të dijes dhe mbështetës për brezat e rinj, sepse janë pikërisht ata që diktojnë dhe ndërtojnë të ardhmen”, u shpreh ndër të tjera, mësuesja Majlinda Ziu.
Mësonjëtorja e parë u çel në 7 mars në 1887 në kushtet e pushtimit otoman, dhe ajo u krijua nga një grup rilindasish, ndërsa ishte e para shkollë fillore me një fizionomi të theksuar kombëtare dhe laike, ku të gjitha mësimet jepeshin në gjuhën shqipe.



