Rama ndan pamjet: Këngë e valle shqiptare në panairin e turizmit në Berlin
Shqipëria mban Berlinin me këngë e valle.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga këngët dhe vallet e kërcyera nga ekipi shqiptar në stendën e vendit tonë në panairin më të madh të turizmit në Europë.
Në edicionin e këtij viti Shqipëria merr pjesë me një koncept të ri të promovimit, me një ekip prej 26 turoperatorësh dhe 7 bashkish turistike që prezantojnë në mënyrë gjithëpërfshirëse nën sloganin “Albania All Senses” potencialet, atraksionet dhe tregun shqiptar të turizmit.
Gjatë këtij edicioni të ITB-Berlin, u nënshkrua edhe një tjetër marrëveshje e rëndësishme për Shqipërinë.
Ditën e djeshme, ministrja Kumbaro dhe Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Turizmit, Zurab Pololikashvili firmosën marrëveshjen e organizimit të mbledhjes së 70-të të Komisionit për Evropën të UNWTO në Tiranë, në datat 7-9 prill.
UNWTO e renditi Shqipërinë të parën në Europë për rikuperimin e flukseve turistike gjatë vitit 2023, ndërsa gjatë dy muajve të parë të vitit 2024 vendi ynë u vizitua nga 1 milion vizitorë të huaj, sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit.
