Koçiu: Vijojmë investimet në shëndetësi për rritjen e cilësisë së shërbimit

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu u shpreh sot besimplotë se mjekët dhe infermierët e rinj do të jenë promotorë të ofrimit të shërbimit shëndetësor me profesionalizëm dhe përkushtim, edhe në zonat më të largëta si dhe pranë vendbanimit të qytetarëve.

Koçiu ndau në rrjetet sociale momente nga aktiviteti i djeshëm me mjekët dhe infermierët e rinj, të cilët janë punësuar në sistemin publik shëndetësor gjatë dy muajve të parë të këtij viti.

Ministrja garantoi se qeveria dhe MSHMS do të vijojnë angazhimin dhe mbështetjen për trajtimin dinjitoz të punës dhe shërbimit të këtyre punonjësve.

Po ashtu, Koçiu theksoi se do të vijojnë investimet në infrastrukturë e pajisje bashkëkohore mjekësore në qendra shëndetësore, spitale bashkiake dhe rajonale për rritjen e cilësisë së shërbimit dhe ofrimin e të njëjtave standarde në të gjithë vendin.