Rama: 577,515 udhëtarë vizituan vendin në shkurt 2024, rritje prej 69% nga viti i kaluar
Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se, Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës është në një rrugë të pabesueshme fluturimi.
“Në shkurt 2024, ne mirëpritëm 577,515 udhëtarë, një rritje prej 69% nga viti i kaluar. Nga janari deri në shkurt 2024, shifrat u rritën në 1,202,785, duke shënuar një kërcim 59%”, u shpreh Rama në një postim në rrjetin social X.
“Bukuria e Shqipërisë po thërret – ejani dhe shikoni vetë pse të gjithë po fluturojnë drejt nesh”, nënvizoi kreu i qeverisë
“Zbuloni Shqipërinë dhe nëse jeni pranë Berlinit, mos humbisni panairin më të madh të turizmit në Evropë ku Shqipëria ka një stendë të bukur me informacion të bollshëm”, u shpreh Rama.
Me sloganin “Albania All Senses”, Shqipëria do të jetë sërish pjesë e panairit më të madh në botë të turizmit, ITB Berlin, që zhvillohet nga data 5 deri më 7 mars në Gjermani.
Në këtë panair, Shqipëria do të prezantohet me një hapësirë kuruar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, si edhe me pjesëmarrjen e 26 turoperatorëve privatë dhe shtatë bashkive turistike që do të prezantojnë ofertat dhe potencialet e tyre në Berlin.
Gjithashtu pjesë e këtij panairi që nis ditën e nesërme, do të jenë edhe bashkitë Durrës, Vlorë, Gjirokastër, Korçë, Sarandë, Përmet dhe Tepelenë, të cilat do të prezantojnë programet e tyre të promovimit. ITB Berlin operon suksesshëm prej vitit 1966 duke qenë panairi më i madh i Turizmit në botë.
