Gërryen shtratin e lumit Mat, arrestohen dy persona. Shpallet në kërkim administratori i subjektit

Policia e Kurbinit ka arrestuar dy shtetas dhe ka shpallur në kërkim ndy të tjetër, pasi kryenin në kundërshtim me ligjin veprimtarinë e përpunimit të inerteve që merreshin pas gërryerjes së shtratit të lumit Mat.

Në pranga kanë rënë dy punëtorët, Rexhep Shabani dhe Albert Dodaj ndërsa në kërkim është shpallur administratori i subjektit dhe një punonjës tjetër.

Po ashtu janë sekuestrohen 12 mjete të rënda (5 kamionë, 3 ekskavatorë, 2 fadroma dhe 2 impiante përpunimi inertesh) që i shërbenin kësaj veprimtarie të kundërligjshme

Si rezultat i kontrolleve dhe patrullimeve 27/7, të mbështetura te puna e inteligjencës policore dhe që kryhet në të gjithë territorin e rrethit, me fokus prandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve kundër mjedisit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Riverside”.

Gjatë operacionit, në Milot, është ushtruar kontroll në një subjekt për përpunimin e inerteve, në pronësi të shtetasit B. A.

Nga verifikimet e kryera rezultoi se veprimtaria në këtë subjekt kryhej në kundërshtim me ligjin, sepse përveç se dëmtonte mjedisin, kryhej pa dokumentacionin përkatës, punonjësit ishin të paregjistruar dhe fshiheshin të ardhurat e përfituara.

Gjatë kontrolleve, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 12 mjete të rënda (5 kamionë, 3 ekskavatorë, 2 fadroma dhe 2 impiante përpunimi inertesh) që i shërbenin kësaj veprimtarie të kundërligjshme.

Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast janë arrestuar në flagrancë 2 punonjës të subjektit, shtetasit:

R. Sh., 57 vjeç dhe A. D., 59 vjeç, të dy banues në Milot.

Gjithashtu, u shpallën në kërkim administratori i subjektit për llogari të të cilit punonin mjetet e rënda, shtetasi B. A., 58 vjeç banues në Milot, si dhe një punonjës i subjektit, shtetasi P. T., 60 vjeç, banues në Krujë. Vijon puna për kapjen e tyre.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës Shkallës Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.