Shpërthimi në Lushnjë, Meta: I pikëlluar, ngushëllimet më të ndjera për familjen
Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta, përmes një mesazhi në rrjetet sociale ka reaguar për shpërthimin e ndodhur pasditen e kësaj të premte në Lushnjë, ku si pasojë e një shpërthimi humbi jetën një person dhe u plagosën 7 të tjerë.
“I pikëlluar nga ngjarja tragjike sonte në Lushnjë, ku humbi jetën një qytetar dhe u plagosën disa të tjerë. Shpreh ngushëllimet më të ndjera për familjen që humbi njeriun e tyre të dashur dhe ju uroj shërim të shpejtë të lënduarve dhe deputetit të Kuvendit të Shqipërisë”, shkruan Meta.
Sot rreth orës 15:37 në zonën industriale të Lushnjës, pranë kompleksit të magazinave, ndodhi një shpërthim, i cili dyshohet se është shkaktuar nga kontakti i një ekskavatori me linjën e tensionit të lartë.
Nga shpërthimi humbi jetën drejtuesi i ekskavatorit, ndërsa është në gjendje të rëndë për jetën djali i tij. Të plagosur në total janë shtatë persona, mes tyre dhe deputeti i PS për Lushnjën, Bujar Çela.
