Heqja e vizave me Azerbajxhanin, ambasadori Huseynov: Tjetër kontribut në marrëdhëniet dypalëshe
Zëvendësministri i Jashtëm i Azerbajxhanit, Fariz Rzayev dhe zëvendësministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Besart Kadia kanë nënshkruar marrëveshjen për heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë që udhëtojnë drejt Azerbajxhanit.
Ambasadori i Azerbajxhanit në Shqipëri, Anar Huseynov reagoi nëpërmjet një postimi në rrjetin social “X” duke u shprehur se, ky është një tjetër kontribut i fuqishëm në marrëdhëniet dypalëshe.
“Fariz Rzayev, Zëvendës Ministër i Jashtëm i Azerbajxhanit, dhe Zëvendësministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Besart Kadia, folën për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe mes vendeve tona, me fokus ndërveprimin ekonomik dhe kontaktet mes njerëzve. Takimi pasoi me nënshkrimin e marrëveshjes për përjashtimin e vizave – një tjetër kontribut i fuqishëm në marrëdhëniet dypalëshe”, shkroi në rrjetin social “X” ambasadori Anar Huseynov.
Ditën e sotme, kryeministri Edi Rama ndodhet në Baku të Azerbajxhanit si i ftuar nderi i Presidentit Ilham Alijev, për të adresuar Samitin e 10-të të Korridorit Jugor të Gazit. Gjithashtu pritet që në këtë takim të diskutohet edhe për ecurinë e projekteve të përbashkëta në fushën e energjisë.

