Zaçaj: Transparenca me median ka rritur besueshmërinë e publikut te Gjykata Kushtetuese
Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj zhvilloi sot një takim pune në ambientet e kësaj gjykate me Mary Kate Butterfield, këshilltare ligjore rezidente e OPDAT, e cila shoqërohej nga Klodiana Vogli, specialiste ligjore.
Gjatë takimit u diskutua mbi ecurinë pozitive të Reformës në Drejtësi dhe mbështetjen e dhënë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për zbatimin me sukses të kësaj reforme, si dhe për projektet e mundshme të bashkëpunimit me qëllim rritjen e transparencës dhe aksesit të qytetarëve në drejtësinë kushtetuese.
Kryetarja Zaçaj, pasi prezantoi sfidat e institucionit, theksoi edhe një herë se marrëdhënia me median, me qëllim rritjen e transparencës dhe shpjegimin e vendimeve të Gjykatës, ka rritur besueshmërinë e publikut dhe njohjen e kësaj gjykate nga të gjithë.