Varhley: Plani i BE-së parashikon dyfishimin e rritjes ekonomike në Ballkanin Perëndimor
Komisioneri i Zgjerimit Oliver Varhley nga Samiti i Tiranës, theksoi se plani i Bashkimit Evropian për rritjen ekonomike në Ballkanin Perëndimor parashikon dyfishimin e të ardhurave për vendet e rajonit.
Nga samiti BE-Ballkani Perëndimor tha se ka ngelur dhe gjysma e kohës për të vënë në zbatim këtë plan, ndërsa shtoi se BE duhet të ofrojë të gjitha përfitimet për vendet që do të bëhen anëtarë të Bashkimit Europian.
“Edhe pse ne po afrojmë fundin e mandatit tonë, dua të lëmë diçka pas, diçka serioze. E prekshme. Diçka që të jetë e ndjeshme për aspektin afatshkurtër dhe afatmesëm.
Shoqëritë e Ballkanit Perëndimor duhet të integrohen në BE. BE duhet të që të ofrojë të gjithë përfitimet që sjell anëtarësimit. Kjo është ideja jonë që vjen me planin e rritjes. Është plan ambicioz.
Kemi gjysmën e kohës për ta vënë në zbatim. Rajoni do të duhet të ecë me shpejtësi përpara, për plotësimin e reformave. Duhet të aplikoni rregullat e BE.
Mund të bëheni pjesë e tregut europian edhe para se të jeni vend anëtar i BE.”, tha Komisioneri i Zgjerimit.
Çfarë parashikon plani për rritjen ekonomike në Ballkanin Perëndimor?
Plani i BE-së për Ballkanin Perëndimor synon rritjen ekonomike të rajonit, përshpejtimin e reformave të duhura, dhe kryerjen e investimeve, që mund të avancojnë procesin e zgjerimit të BE-së me këto vende.
Plan i ri për rritje ekonomike në vendet e Ballkanin Perëndimor, i miratuar nga Komisioni Evropian, më 8 nëntor të vitit 2023, është i bazuar në katër shtylla.
Shtylla e parë është “forcimi i integrimit ekonomik në tregun unik të BE-së”.
Kjo do të varet nga përshtatja e vendeve të rajonit me rregullat e tregut unik dhe paralelisht hapja e tregut të tyre në sektorët përkatës për vendet fqinje. Shtylla e dytë e këtij plani është “forcimi i integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes tregut të përbashkët rajonal”.
Kjo, sipas përvojës së BE-së do të ndikojë në një rritje potenciale ekonomike prej 10 për qind. Shtylla e tretë e këtij plani është “përshpejtimi i reformave fondamentale”.
Kjo nënkupton dhe sundimin e ligjit që ndihmon edhe në tërheqjen e investimeve direkte të huaja dhe forcon stabilitetin rajonal.
Shtylla e katërt e planit të ri të Komisionit Evropian për rritje ekonomike në Ballkanin Perëndimor është “rritja e asistencës financiare për të ndihmuar reformat”. Këtu përfshihet edhe propozimi për 6 miliardë euro ndihmë.
Pasi vendet e rajonit në raportet tregtare me Bashkimin Evropian përfitojnë edhe nga Marrëveshjet përkatëse të Stabilizim-Asociimit, KE-ja propozon që të shkohet edhe përtej kësaj, duke bërë edhe ndryshime në këto marrëveshje për të mundësuar kushte të barabarta në treg dhe mes vendeve në procesin e zgjerimit dhe vendeve anëtare të BE-së.
Të gjitha këto qëllime janë në përputhje edhe me idetë që po realizohen përmes Procesit të Berlinit, si dhe krijimin e “tregut të përbashkët rajonal”.



