Hodhi gaz lotsjellës në parlament, gjykata jep vendimin për Konjufcën

Gjykata e Prishtinës ka liruar nga akuzat kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufcën për gazin lotsjellës në Kuvend në vitin 2016.

Në aktakuzë thuhet se në Kuvendin e Kosovës më 10 gusht 2016, në cilësinë e deputetit, Konjufca ka hedhur gaz lotsjellës në sallë.

Me hedhjen e gazit lotsjellës, sipas aktakuzës, është pamundësuar qëndrimi në sallë i deputetëve.

Sipas gjykatëses Çanta, nuk është provuar se Konjufca ka kryer veprën që i vihej në ngarkim “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, raportojnë mediet e Kosovës.

Gjykatësja tha se asnjëri nga dëshmitarët nuk e ka inkriminuar Konjufcën.

Kurse, për veprën penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare”, për të cilën ka arritur parashkrimi, është refuzuar akuza.