VIDEO/ Fundjava kuqezi - Shkëlqejnë disa prej legjionarëve, “buzëqesh” Silvinjo
Kjo fundjavë rezultoi tepër pozitive për disa prej lojtarëve shqiptar. Forma e mirë e legjionarëve, bën të buzëqesh edhe trajnerin skuadrës kuqezi Silvinjo, kur jemi në prag të përgatitjeve për Kampionatin Europian.
Kur jemi në prag të përgatitjeve për Kampionatin Europian, trajneri i Kombëtares Silvinjo merr sinjale pozitive, nga disa prej lojtarëve kuqezi, që luajnë në disa prej kampionateve më prestigjioze Evropiane.
Kështu, fundjavën që lamë pas, disa prej futbollistëve shqiptar lanë gjurmë për skuadrat e tyre, e në veçanti në formë më të mirë duket reparti sulmues.
Ernest Muçi gjeti golin e tij të parë në Superligën turke, me Beshiktashin.
22-vjeçari shënoi golin e dytë në sfidën Istanbulspor-Beshiktash, e mbyllur në shifrat 0-2. Jo vetëm kaq, por ish-sulmuesi i Tiranës dhe Legias u shpall edhe lojtari më i mirë i ndeshjes, duke spikatur nga radhët e gjigantëve nga Stambolli.
I pandalshëm në Turqi edhe Rei Manaj. Bomberi lushnjar realizoi golin e 14-të në kampionat. Lojtari kuqezi shënoi golin e tretë për Sivasporin, në suksesin 4-1 kundër Pendiksporit.
Me formën e jashtëzakonshme që po tregon këtë sezon, Manaj shpreson te një ftesë e Silvinjos, për të qenë pjesë e ‘EURO 2024’.
Në Itali, protagonist u kthyen dy mesfushorët e Kombëtares shqiptare, Kristjan Asllani dhe Nedim Bajrami.
Edhe pse luajti vetëm 55 minuta, Asllanit i mjaftuan për të treguar vlerat e tij. Ai dha një asist mjaft të bukur për Lautaro Martinez, në golin e parë të zikaltërve.
Ndërkohë nga krahu tjetër, Ylber Ramadani luajti për 79 minuta, duke i lënë vendin më pas bashkëkombësit të tij Medon Berishës.
Moment i veçantë për 20-vjeçarin e përfaqësueses ‘Shpresa’, që bëri kështu debutimin në Seria A.
Sakaq, Nedim Bajrami u aktivizua në pjesën e dytë, në takimin Sassuolo-Empoli. Mesfushori dhuroi asistin për Ferrarin, duke vendosur barazimin e përkohshëm 2-2.
Sfida përfundoi me triumfin e miqve 2-3. Ndërsa Ardian Ismajli ishte titullar i padiskutueshëm në qendrën e mbrojtjes për Empolin.
Paraqitje mbresëlënëse edhe për Berat Gjimshitin. Ai së bashku me Atalantën e tij, ndalën Milanin në kampionat, në një barazim 1-1.
31-vjeçari nga Lugina e Preshevës ishte lojtari më i mirë në repartin e mbrojtjes për bergamaskët.




